image Dhuna seksuale në rritje: Mosndëshkimi i dhunuesve, demotivim për t'i raportuar rastet

Siguri

Dhuna seksuale në rritje: Mosndëshkimi i dhunuesve, demotivim për t’i raportuar rastet

news image

Rastet e dhunimit dhe sulmeve seksuale vazhdojnë të jenë ndër problemet kryesore që ballafaqohet shoqëria kosovare. Viktima më të shpeshta të këtyre rasteve po del të jenë të miturat, shkruan Gazeta Sinjali.

Edhe pse viti 2021 ende nuk ka përfunduar, numri i rasteve të dhunimit dhe sulmeve seksuale për 10 muaj ka pësuar rritje në krahasim me vitin 2020. Këtë vit në Polici janë raportuar 73 raste të dhunimit seksual. Ndërkaq përgjatë kësaj periudhe, numri i rasteve të sulmit seksual është më i vogël se sa ai i dhunimeve, pasi që janë raportuar 59 raste të sulmit seksual.

Nga Rrjeti i grave të Kosovës kanë thënë për Sinjalin se “gratë ende vazhdojnë të jenë të pabarabarta në shoqëri, dhe nga kjo pabarazi e shprehur po rrjedh diskriminimi, seksizmi, dhuna, ngacmimet e sulmet seksuale, dhunimet dhe vrasjet.”

Sipas RrGK-së, numri më i madh i viktimave të dhunës seksuale janë vajzat e mitura.

“Dhunimi mund t’i ndodhë kujtdo, pavarësisht moshës. Mirëpo, në bazë të dhënave ditore të policisë kemi vërejtur që shumë vajza të mitura kanë raportuar të jenë dhunuar.”

Nga Rrjeti i Grave thonë tutje se mosndëshkimi i kryerësve të këtyre veprave mund t’i demotivojë viktimat që rastet e tilla të mos i raportojnë, shkruan Sinjali.

Përderisa rastet e dhunës në baza gjinore janë të shpeshta dhe të shumta, asnjëherë nuk mund të themi se po bëhet mjaftueshëm. Kur flitet për dhunën ndaj grave, më së shumti institucionet i referohen dhunës në familje, mirëpo duhet të jetë e qartë që dhuna ndaj grave nuk ndodhë vetëm në familje. Institucionet e drejtësisë duhet të angazhohen më shumë në aspektin e parandalimit dhe ndëshkimit, sepse jemi dëshmitarë që dënimet janë shumë të ulëta për dhunuesit dhe këto (mos)ndëshkime të tilla mund t’i motivojnë dhunuesit dhe demotivojnë personat që janë dhunuar për t’i raportuar në institucionet relevante.

Gjatë katër viteve të fundit në Kosovë kanë ndodhur 216 raste të dhunimit seksual dhe 223 të sulmeve seksuale, të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës. Në vitin 2020, vërehet një rënie e numrit të këtyre rasteve duke e krahasuar me vitin 2019, pasi që ishin kryer 60 raste të dhunimit dhe 56 raste të sulmit seksual.

Kurse gjatë vitit 2019 numri i rasteve të dhunimit dhe sulmit seksual kishte pësuar rritje, pasi që në polici ishin raportuar 94 raste të dhunimit dhe 62 sulme seksuale, në krahasim me vitin 2018 ku ishin denoncuar 32 raste të dhunimit seksual dhe 46 të sulmit seksual.

Gjatë muajit të kaluar Gazeta Sinjali ka raportuar për një rast të dhunimit seksual të një 13-vjeçareje nga Gjakova, e cila dyshohet se u dhunua për gjashtë ditë rresht nga Egzon Krasniqi, 31-vjeçar, në shtëpinë e tij dhe në një motel në Pejë.

Sinjali ka raportuar gjatë muajit gusht edhe për një ngjarje tjetër të tmerrshme, që ka ndodhur në Mogillë të Kllokotit, ku Sadat Fejzi dyshohet se e ka dhunuar vajzën 14- vjeçare të gruas së tij.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës, vitin e kaluar miratoi Konventën e Stambollit. Kjo konventë njihet në botë si instrument ligjor për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës në familje, si dhe për mbrojtjen e viktimave.

Ndjekja penale e dhunuesve cilësohet si bazament i konventës.

Sipas konventës, është detyrim i shtetit që ta adresojë plotësisht dhunën në të gjitha format e saj dhe të marrë masa për të parandaluar dhunën ndaj grave, për t’i mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit.

/GazetaSinjali/