image Dhuna në shkolla, mbi 650 mësues i nënshtrohen vlerësimit psiko-social në Tiranë

Shqipëri

Dhuna në shkolla, mbi 650 mësues i nënshtrohen vlerësimit psiko-social në Tiranë

news image

Mësuesit e rinj që kanë hyrë këtë vit në sistemin arsimor i janë nënshtruar një vlerësimi psiko-social, me qëllim monitorimin e gjendjes së tyre emocionale.

Vendimi për të kaluar në sitë të gjithë arsimtarët është marrë nga Ministria e Arsimit në Shqipëri, pas rasteve të fundit të dhunës së ushtruar nga mësuesit në shkolla dhe të publikuara edhe në media.

Psikologia, Orsiola Miha sqaron për se deri më tani i janë nënshtruar këtij vlerësimi 650 mësues në kryeqytet dhe jo të gjithë kanë mundur të vlerësohen pozitivisht.

Formati i këtij vlerësimi përfshin pasqyrimin e punës së mësuesit gjatë 3 muajve, marrëdhënien e tij me nxënësit, prindërit dhe kolegët, si dhe një intervistë me mësuesin me disa paketa pyetjesh të detajuara.

Miha sqaron për RTSH-në se intervista që analizon gjendjen psiko –sociale të individit është e ndërtuar në mënyrë të tillë që askush të mos këtë mundësi të manipulojë përgjigjet.

Problemet që janë konstatuar gjatë punës në shkollë në marrëdhënie me nxënësit janë ato që kanë penalizuar mëse shumti në vlerësimin e mësuesesve të rinj.

Mësuesit të cilët nuk marrin një vlerësim pozitiv nga komisioni nuk e humbin të drejtën për të ushtruar profesionin e tyre, por nuk lejohen  të punojnë në shkollën ku është bërë vlerësimi. Këta mësues kanë të drejtë të rivlersohen në institucione të tjera shkollore.

/GazetaSinjali/