Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Stanofc i Poshtëm në komunën e Vushtrrisë, ku një burrë dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se përballë kësaj situate, 20-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se i shoqi pasi e ka sulmuar fizikisht e ka dëbuar nga shtëpia dhe ia ka marrë foshnjën 5-muajshe që e kanë nga martesa e përbashkët.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë 21-vjeçarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’. Ndërsa viktima me urdhër të prokurorit ka marrë foshnjën nën përkujdesjen e saj dhe është strehuar në shtëpinë e prindërve.