Gazeta Sinjali ka siguruar videon ekskluzive ku shihet zyrtari i policisë, Blerim Sylejmani duke rrahur keq një qytetar në Gjilan.
Në pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, shihet sesi zyrtari policor sulet me tërë forcën e tij duke goditur me grushte e shkelma qytetarin i cili përpiqet t`i shmanget goditjeve pa kontroll.
Polici i cili do të duhej të ishte shembull i respektimit të ligjit, siç vërehet në video, e merr ligjin në duart e tij duke qëruar hesapet me tërë mllefin dhe forcën e tij fizike ndaj viktimës, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo ngjarje skandaloze, ka tronditur dëshmitarët, të paktën shtatë prej tyre, të cilët tentojnë ta ndalojnë shfrenimin e zyrtarit policor por pa sukses.
Nga kjo përleshje janë terrorizuar edhe disa gra që kishin rastisur të kalonin atypari duke u shtangur nga pamja që shihnin para vetës.
Gazeta Sinjali nga burimet në Prokurorinë Themelore në Gjilan ka marr vesh se e tërë kjo rrahje ka ndodhur për një motiv banal.
Mosmarrëveshja ka filluar pasi polici, në këtë rast jashtë detyrës zyrtare, ishte ankuar ndaj pronarit të një dyqani të pemëtarisë që gjendet afër shtëpisë së tij, se po i pengojnë produktet e vendosura para derës, mëson Gazeta Sinjali.
Zyrtari i policisë, Blerim Sylejmani është prangosur nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje ndërsa qytetari viktimë e këtij sulmi është liruar pas kërkimit të ndihmës mjekësore.
Gazeta Sinjali ka raportuar sot gjatë ditës ekskluzivisht për këtë rast. /Gazeta Sinjali/