image Dhimbja e largimit të ukrainasve nga shtëpitë e tyre, në syrin e fotografit (FOTO)

Botë

Dhimbja e largimit të ukrainasve nga shtëpitë e tyre, në syrin e fotografit (FOTO)

news image

Fotografi Peter Turnley ka treguar eksperiencën e tij të raportimit gjatë largimit të mijëra refugjatëve ukrainas nga stacioni i trenave në Lviv, qytet i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit.

“Pashë një radhë prej mijëra njerëzish, të cilët po qëndronin të qetë, duke pritur mundësinë për të hipur në një tren, për të ikur nga ky konflikt drejt sigurisë”.

Viktimat e vërteta të luftës janë njerëzit që nuk kanë asnjë lidhje me konfliktin dhe jeta e të cilëve është kthyer përmbys nga lufta. Pasi kalojnë kufirin nga vendlindja e tyre, ata kanë humbur papritur gjithçka që lidhet me ekzistencën e tyre”, tha ai për CNN-in.

Turnley, përmes shkrepjeve të tij, ka ndarë gjithçka që ka parë.

“Ndërsa shikoja në sytë e refugjatëve ukrainas, që sapo kishin kaluar kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë, shihja krenari, dinjitet dhe guxim. Dhe çuditërisht, një shkallë të mahnitshme të rezistencës”.

Turnley tha se shumica e ukrainasve që po ikin nga lufta janë gra dhe fëmijë, pasi burrave nën moshën 60-vjeçare u është ndaluar të largohen nga vendi.

“Ato janë ndarë nga burrat, baballarët, djemtë dhe vëllezërit e tyre dhe nuk e kanë idenë se kur mund të kthehen në shtëpi”, tha ai për CNN.

Edhe në këto rrethana shumë të vështira, fotografi tha se kishte parë shumë shembuj të njerzillëkut.

“Një konstante në mes të gjendjes së vështirë të një krize refugjatësh është se njerëzit kanë një nevojë të jashtëzakonshme për njëri-tjetrin. Shpesh e vetmja gjë që është e qartë në jetën e tyre është nocioni i dashurisë dhe dhembshurisë. Kam qenë dëshmitar i momenteve të njerëzve të kapur për dore, duke u përqafuar dhe duke qëndruar shumë afër njëri-tjetrit”.

“Të vetmet drita të ndritshme që po shoh janë këto gjeste dashurie dhe dhembshurie që i shoh teksa familjarët tregojnë ndaj njëri-tjetrit, ndërsa presin një fat shumë të panjohur”, vazhdoi ai.

/GazetaSinjali/