Vetaksidenti në fshatin Tërpezë të Malishevës ka përfunduar me vdekjen e anëtarit të partisë Nisma Socialdemokrate, Albert Krasniqi, dhe me lëndimin e dy personave të tjerë. Policia ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se vetura është goditur për një shtylle të betonit dhe sipas dyshimeve të para, vetaksidenti ka ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës si dhe nga pakujdesia.
Këto informacione i ka dhënë për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Nusret Gjukaj.
“Në këtë aksident ka mbetur një person i vdekur dhe dy të lënduar. Dyshimet e para të vetaksidentit janë pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrrugës. Rruga ka qenë pak e lagur. Fillimisht janë dërguar në QKMF, pas tretmanit janë dërguar në QKUK, ku është marrë konfirmimi se një person ka ndërruar jetë”, tha Gjurkaj për Gazetën Sinjali.
Gjurkaj shtoi se dy të lënduarit për momentin janë në gjendje stabile.
Për vdekjen e hershme të Albert Krasniqit ka shkruar edhe ministri i ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.
“ALBERT sot kam pritur të të uroj mirëseardhje në detyrën e re si këshilltar i imi në MTI, por në asnjë mënyrë s’kam menduar që pikërisht të ju them lamtumirë. Veprat tua, sjellja jote ishin shembulli më i mirë i një të riu, me një perspektivë për të ardhmen. Do të na mungosh shumë Albert, kujtimi për ty kurrë nuk do të harrohet.Lamtumirë shoku ynë, lutemi që të pushoni i qetë në parajsë”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook, transmeton Gazeta Sinjali.
Aksidenti që i mori jetën Albert Krasniqit ndodhi vetëm një ditë para se të fillonte punën si këshilltar i ministrit të MTI-së. /Gazeta Sinjali/