Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme raportoi për sulmin kibernetik që ndodhi në Ministrinë e Financave.
Burimet e Sinjalit, sot bëjnë me dije se vendet nga dyshohet që ka pasur hyrje në sistemin kompjuterik sipas zyrtarëve të IT-së janë Maqedonia e Veriut dhe Polonia.
Mirëmbajtësit e IT-së, siç mëson Sinjali, kanë arritur që ta ndalojnë në vazhdim hyrjen në sistemin kompjuterik dhe kanë ndërprerë keqpërdorimin e të dhënave të banorëve të Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, Ministra e Financave njoftoi qytetarët e Republikës së Kosovës se Sistemi Informativ i Tatimit në Pronë, më saktësisht shërbimi online për shtypjen e faturës së tatimit në pronë është tentuar të keqpërdoret nga sulmues kibernetikë të paidentifikuar, të cilët kanë përdorur të dhëna personale të Regjistrit Civil të Republikës së Kosovës përmes të cilave kanë tentuar të lexojnë të dhënat e faturave të tatimit në pronë.