Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ka thënë se i infektuari i fundit në Pejë, është një burrë i moshës së mesme i cili ka punuar në terren.
Loci ka theksuar se është e vështirë të gjendet burimi i infeksionit për shkak të lëvizshmërisë së tij të madhe dhe kontakteve të tij, për shkak të punës.
“Gjëja e parë që shikohet pas rezultateve është gjurmimi i kontakteve, rasti i fundit ka të bëjë me person që ka ushtruar aktivitet privat, pra ka pasur aktivitet që ka të bëjë me lëvizje. Ka kryer punë të terrenit dhe kjo e komplikon situatën, burimin e infeksionit e kemi të vështirë ta konstatojmë, kontaktet me të tjerët është vështirë të gjenden”, tha Loci.
Më tutje Loci tha se rasti i fundit ka simptoma dhe gjendja e tij është relativisht e mirë, gjithashtu komuna po punon për t’i gjetur kontaktet.
“Kemi disa ditë që nuk kemi asnjë rast me të infektuar, sot pas rezultateve që kanë dalur, ka qëlluar pozitiv, testimi është bërë dy ditë më përpara. Personi është moshë e mesme, gjendja e tij është relativisht e mirë, por ka simptoma”, u shpreh Loci në Dukagjin./ Gazeta Sinjali/