image Detaje nga vrasja në Tiranë/ Ish-vjehrri dhe gruaja e vëzhguan viktimën për 20 minuta

Shqipëri

Detaje nga vrasja në Tiranë/ Ish-vjehrri dhe gruaja e vëzhguan viktimën për 20 minuta

news image

Prokuroria e Tiranës dorëzoi këtë të diel kërkesën në gjykatë për masën e arrestit me burgim për Mexhit Picarin dhe vajzën e tij, Dhurata Saliaj, me akuzën e vrasjes së Kudret Saliajt.

Top Channel raporton se Mexhit Picari dhe vajza e tij, Dhurata Saliaj, kanë shkuar në lokalin ku ishte ulur viktima dhe e kanë vëzhguar për rreth 20 minuta.

Në tavolinë me viktimën ishte avokati i çështjes, Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur dhe një psikologe. Autori dhe vajza e tij, kanë qenë në lokal në pritje të seancës gjyqësore. Gjithçka është zbardhur nga kamerat e sigurisë së lokalit, ku ndodhi vrasja.

Megjithatë, sipas të dhënave, rezulton se Mexhit Picari ka gënjyer në dëshminë e tij dhënë në polici. Sipas tij, ka qenë viktima Kudret Saliaj që e ka ofenduar dhe për këtë arsye autori e ka qëlluar atë. Një ditë para vrasjes, rezulton se viktima ka pasur një debat të ashpër me ish-bashkëshorten e tij Dhuratën.

Fillimisht u raportua se në tavolinën e viktimës ka qenë edhe djali i ish-çiftit Saliaj, por nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar kështu.

16-vjeçari është pyetur nga policia dhe në dëshminë që Top Channel disponon, ai ka deklaruar përpara grupit hetimor, se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje. Madje ai ka shtuar se nëna e tij, Dhurata Saliaj ushtronte dhunë ndaj tij, motrës dhe vëllait të tij të vogël.

Në pamjet e incizuara nga kamerat e sigurisë, shihet se Mexhit Picari është çuar dhe ka qëlluar ndaj ish-dhëndërit të tij, Kudret Saliaj, por ka lënë të plagosur edhe ish-prokurorin, Adriatik Cama.

Ky i fundit ka marrë një plumb në pjesën e djathtë të kraharorit. Mjekët ende nuk ia kanë hequr plumbin për shkak të ndonjë hemorragjie të mundshme.

Ndërkaq, avokati Cama ka deklaruar në polici se nuk ka mundur ta shoh të gjithë ngjarjen, pasi, sipas tij, ka qenë duke lexuar ekspertimin e psikologes. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, kësaj të fundit i ka rënë të fikët dhe ende nuk është në gjendje të japë dëshminë e saj të plotë./Gazeta Sinjali/