Gazeta Sinjali sot gjatë ditës raportoi për një rast ku një person i zhveshur, endej rrugëve të Pejës.
Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, i ka thënë Sinjalit se ai nuk është arrestuar porse është marrë nga Policia për t’u dërguar për trajtim.
Zëdhënësi Fadil Gashi, ka folur për Gazetën Sinjali derisa ka dhënë informacione rreth tij.
“Nuk është arrestuar. Nga ana e qytetarëve jemi njoftuar se një person i zhveshur po endej dhe Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje dhe e ka marrë e ka dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës. Është konsultuar edhe Prokurori i Shtetit. Personi është duke u trajtuar në Repartin Neuropsikiatrik në Pejë”, tha Gashi në një përgjigje për Sinjalin.
Gashi shtoi se i njëjti ishte me probleme mendore.
“Është vërtetuar edhe më herët se ka probleme mendore, tani po trajtohet në këtë repart. Raporti policor është kërkuar megjithatë nuk është iniciuar asnjë rast ndaj tij. Familjarët e tij janë njoftuar, edhe ata janë në spital”, tha tutje Gashi.