Gazeta Sinjali ka raportuar dje për një plagosje me armë zjarri në fshatin Doganaj të Kaçanikut.
Ndonëse dje nga policia kanë njoftuar se janë vetëm dy persona të përfshirë në këtë rast, në raportin 24-orësh të policisë bëhet e ditur se në rastin e cilësuar si “vrasje në tentativë” kanë qenë të përfshirë tre persona.
Në këtë raport thuhet se ata të tre fillimisht ishin rrahur mes vete me shufra metali dhe më pas në këtë rrahje ishte shkrepur edhe një armë zjarri.
Nga kjo gjuajtje me armë zjarri është plagosur në këmbë njëri prej tyre.
“Të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësor ku njëri nga të lënduarit është plagosur nga arma e zjarrit në këmbë”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Nga të dyshuarit policia njofton se janë konfiskuar: një revole “Bereta”, 59 fishekë të kalibrit 9 mm, një revole TT me 16 fishekë, një revole me 23 fishekë të kalibrit 9 mm dhe një pushkë gjuetie me 14 fishekë.
Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje./Gazeta Sinjali/