Dje në palestrën sportive “Adem Jashari” në Obiliq, pas përfundimit të ndeshjes së kategorisë së femrave, mes Klubit Hendbollistik KEK-u dhe atij Deçani ka ndodhur një incident.
Policia e Kosovës ka dalë në vendngjarje dhe ka arrestuar pesë persona, dy burra dhe tri vajza të mitura, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se katër nga të dyshuarit u liruan, ndërsa një është dërguar në mbajtje. Personi që po mbahet në ndalim (emër i njohur për redaksinë), sipas burimeve të Sinjalit është babai i njërës nga lojtaret e KHF Deçanit, i cili dyshohet se ka sulmuar lojtaret e KHF KEK-ut.
Sipas të njëjtave burime, palët e përfshira në rast janë dërguar në stacion, ku fillimisht u është ofruar ndihma mjekësore nga ana e QKMF-Obiliq dhe pastaj janë intervistuar, ku prezent kanë qenë edhe puntorët e Qendrës për Punë Sociale.
I dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë dhe ndaj tij është hapur rasti.