image Detaje: Ish-ministri Tahiri në burgun 313, vendoset në një dhomë observimi

Shqipëri

Detaje: Ish-ministri Tahiri në burgun 313, vendoset në një dhomë observimi

news image

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është vendosur në një prej qelive të burgut 313 në Tiranë pak orë pasi gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi dënimin e tij me 3 vjet e 4 muaj burg.

Pas përfundimit të procedurave në ambientet e Drejtorisë së Policisë ish-ministri i Brendshëm u shoqërua për në ambientet e burgut pak para mesnatës së të shtunës, 4 shkurt 2022.

Me vete kishte disa rroba si dhe paketat e cigareve e ndërsa gardianët e shoqëruan drejt godinës B ku ndodhet edhe qelia e tij.

Sipas drejtorisë së burgjeve Saimir Tahiri duke qenë se ka pasur detyrën si ministër i Brendshëm për 10 ditë do të qëndrojë në një dhomë observimi.

Brenda këtij ambienti do të ketë një komodinë, një krevat si dhe tualetin që është brenda dhomës.

Pas përfundimit të regjimit 10 ditor familjarët mund t’i dërgojnë Tahirit edhe pajisje elektroshtëpiake të lejuara brenda ambienteve të burgjeve.

Ndërkohë policia e burgut do të kryejë procedurën e marrjes së deklaratave të personave që mbahen tek 313-ta për të verifikuar nëse kanë konflikte të bartura.

Informacione për këtë çështje do t’i kërkohen edhe ish ministrit për të shmangur lënien e tij në të njëjtin sektor me persona me precedent kriminal apo të arrestuar në kohën kur ministër ishte Saimir Tahiri.

Apeli i posaçëm e shpalli fajtor atë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës pasi me veprime dhe mosveprime ka favorizuar grupin Habilaj në trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Tahiri u dënua më 5 vjet por për shkak të gjykimit të shkurtër do të vuaj 3 vite e 4 muaj burgim.

Tetë argumente përdori më 4 shkurt 2022 Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dënuar me 3.4 vite burg ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Vendimi ishte parashikuar të jepej në orën 13:00 por u dha rreth orës 17:00 “për shkak të kompleksitetit të çështjes gjykatës iu desht një kohë më e gjatë” tha dje relatori i çështjes Engert Pëllumbi.

/GazetaSinjali/