image Dështon tenderi i dyshimtë për shtatoren e Adem Demaçit, nuk i ngjan atij

Kosovë

Vendim/ Dështon tenderi i dyshimtë për shtatoren e Adem Demaçit, nuk i ngjan atij

news image

Shtatorja e Adem Demaçit nuk do të vendoset në Prishtinë edhe për një kohë pasi ka dështuar tenderi i hapur nga Zyra e Kryeministrit.

Djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi është ankuar në përzgjedhjen e shtatores, pasi sipas tij, ajo nuk i ngjason babait të tij.

Njëri nga ofertuesit është ankuar se konkursi ishte i përgatitur për fituesin e parë. I njëjti sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta Sinjali ka marrë pikët maksimale gjatë vlerësimeve nga komisioni.

 “Dikush përzgjedhjen që e kanë bërë prej Zyrës së Kryeministrit, u kanë si tender i përgatitur për fituesin e parë, që ata e kanë përzgjedh, por nuk i ka pëlqyer familjarëve”, ka thënë njëri nga konkurrentët, i cili ka kërkuar që të mbetet anonim.

 Arsyeja e anulimit të këtij tenderi që është iniciuar nga Zyra e Kryeministrit, nuk specifikon qartë pse nuk do të ndërtohet shtatorja. Sipas tyre ka ndodhur një shkelje por nuk dihet për çfarë shkelje bëhet fjalë. Në pikën tjetër të sqarimit thuhet se të gjitha ofertat kanë qenë më të shtrenjta sesa shuma e paraparë nga Zyra e Kryeministrit për këtë tender.

“Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në njoftimin e siguruar nga Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se anulimi i këtij tenderi nuk ka ndodhur për shkak të çmimit të lartë të ofertuesve, por djali i Adem Demaçit dhe familjarët e tjerë nuk janë pajtuar me mënyrën e përzgjedhjes nga komisioni vlerësues dhe shtatorja e përzgjedhur nuk i ka përngjarë Adem Demaçit.

“Unë kam marrë pjesë, jemi kanë 5 ose 6, i kam edhe listën aty. Unë kam marrë pjesë edhe u anulu për shkaku që komisioni verifikues artistik që janë në komision, që e kanë përzgjedh ata, i kanë thirr një komision jo adekuat për këtë punë. E kanë përzgjedh njërën nga skulpturat që si kanë përngjarë hiç Adem Demaçit”, ka thënë njëri nga ofertuesit i cili ka kërkuar që të mbetet anonim.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar djalin e Adem Demaçit, Shqiptarin, i cili e ka konfirmuar se familjarët nuk kanë qenë pjesë e komisionit vlerësues dhe nuk kanë qenë të kënaqur me shtatoren e përzgjedhur nga komisioni.

“Familja nuk ka qenë e futur në tender, ne kemi qenë monitorues të jashtëm, neve nuk ka pëlqyer shtaroja. Nuk ka qenë e përshtatshme, s’kemi pas qejf me u bë ajo shtatore, s’ka qenë e duhura. Ne kemi jap mendim”, ka thënë Shqiptar Demaçi për Gazetën Sinjali.

Familjarët kanë pretenduar se shtatorja e përzgjedhur nuk e nderon Adem Demaçin sepse nuk ka qenë e përshtatshme për karakterin e tij.

“Nuk ka qenë e përshtatshme, nuk ka shkuar për karakter të bacit Adem shtatorja, nuk e nderojke bacin Adem, shtatorja. Ne shpresojmë kur të zgjedhet kryeministri i ri ta bëjnë një tender të ri, ndoshta e bëjnë edhe me ndërkombëtar shpresoj që gjejmë një shtatore të përshtatshme për bacin Adem, ne do ta ndihmojmë ajo që është ma e mira”, ka thënë djali i Adem Demaçit.

Gazeta Sinjali merr vesh se buceta e punuar nga skulptori Gëzim Muriqi, me kodin 6669, ka dalë e para në këtë konkurs, duke mbledhur 61.60 pikë në total.

Njëri nga konkurrentët ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se oferta e tij ka qenë nën shumën e ofruar nga Zyra e Kryeministrit.

 “Jo, jo, ajo është gënjeshtër që të gjithë ofertuesit kanë qenë me çmim më të lartë se sa shuma e ndarë për këtë tender. 124 mijë e 500 euro janë paraparë, unë i kam dokumentet edhe i kom qysh ka shku gjithçka, unë jam kanë pjesë e asaj. Aty janë parapa 124 mijë e 500 euro vetëm për shtatore, edhe aty të gjithë kanë ofertua nën 124 mijë e 500 euro. Ajo është hajgare që e kanë thanë atë arsye. Unë për veti kam qenë nën shifrën që e ka ofru Zyra e Kryeministrit, besoj edhe të tjerët njësoj”.

 Zyra e Kryeministrit kur e kishte hapur tenderin për ndërtimin e shtatores së “Adem Demaçit”, nuk kishte treguar sa para janë planifikuar për t’i shpenzuar për këtë projekt.

Gazeta Sinjali ka provuar disa herë që të kontaktoj me Zyrën e Kryeministrit për të marrë një qëndrim të tyre për këtë çështje, por qasja përmes telefonit ka qenë e pamundshme.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, lokacioni i paraparë për tu ndërtuar shtatorja e “Adem Demaçit” ishte tek rrethrrotullimi i spitalit.

 Adem Demaçi ka vdekur më 26 gusht të vitit 2018 në Prishtinë. Është shqiptari që ka qëndruar më së gjati në burgjet e Serbisë, duke kaluar 28 vite të jetës së tij prapa grilave për shkak të kauzës së tij për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. /Gazeta Sinjali/