image Dështon plani i Ramiz Kelmendit, 'shpëtojnë' punëtorët e ETC-së në Ferizaj

Politikë

Fushata/ Dështon plani i Ramiz Kelmendit, ‘shpëtojnë’ punëtorët e ETC-së në Ferizaj

news image

Pronari kompanisë ELKOS Group, biznesmeni Ramiz Kelmendi, kishte planifikuar që sot të dilte para punëtorëve të kompanisë së tij në Ferizaj, për t’i porositur ata që ta votojnë PDK-në dhe Kadri Veselin të dielen më 6 tetor.

Por, Prokuroria Themelore e Prishtinës duket se ia ka prishur planin ‘bossit’ të Pejës për ta vazhduar lobimin shfrytëzues te punëtorët, në përpjekje për ta bërë Kadri Veselin kryeministër të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Deklaratat publike të Kelmendit e kanë shtyer Prokurorinë që t’i nisë hetimet ndaj tij. Prokuroria Themelore ka njoftuar dje se deklaratat e Kelmendit janë iniciuar si rast paraprak penal.

Gazeta Sinjali merr vesh nga burime të sigurta se punëtorët e ETC-së në Ferizaj dje ishin njoftuar se do të duhej të merrnin pjesë në një mbledhje e cila ishte paraparë të mbahej sot nga ora 13:00.

Mbledhja e paralajmëruar, që në fakt do të ishte fushatë dhe përpjekja e fundit e Kelmendit për t’ua marrë votat punëtorëve, ka dështuar të mbahet. Punëtorët kanë shpëtuar nga përballja me Kelmendin, i cili në ditën e fundit të fushatës zgjedhore do t’u kërkonte nga ta që ta votojnë PDK-në familjarisht. Atyre nuk u është dhënë ndonjë arsyetim për mosmbajtjen e ‘mbledhjes’, edhe pse supozohet që shkaku është nisja e hetimeve nga Prokuroria.

Kelmendi është larguar i pakënaqur nga Lidhja Demokratike e Kosovës më 5 shtator. Megjithëse nuk aderoi zyrtarisht në partinë e Kadri Veselit, me të dalë nga LDK-ja, ai ka nisur me vrull një fushatë lobimi për PDK-në.

“Të gjitha votat e punëtorëve të mi do ta shkojnë për PDK-në”, kishte thënë Kelmendi dy ditë pas fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Ai kishte bërë edhe planin për ta arritur këtë.

Më 30 shtator, Kelmendi mblodhi punëtorët e ETC-së në Prizren, duke i porositur ata, siç kishte paralajmëruar, që të gjitha votat e tyre të shkojnë për PDK-në.

Të njëjtën gjë ua kërkoi edhe punëtorëve të pikave të ETC-së në Prishtinë më 1 tetor.

“U dakorduam për PDK me numër 112 dhe z.Kadri Veseli – Kryeministër”, kishte deklaruar Kelmendi pas mbledhjeve, duke publikuar në Facebook edhe fotografi me punëtorët.

Këto ‘mbledhje’ të frikshme për përcaktimin e lirë të punëtorëve të kompanisë së tij për të zgjedhur se kë ta votojnë, kanë ngjallur reagim jo të vogël në shoqëri. Madje, disa anëtarë të shoqërisë civile kanë kërkuar edhe arrestimin e Kelmendit.

Por veprimi i parë nga institucionet e drejtësisë erdhi dje. Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se ka nisur zyrtarisht hetimet për fushatën e Kelmendit. Ai po hetohet për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Prokuroria ka kërkuar gjithashtu që Policia e Kosovës ta interviztojë Kelmendin për këtë çështje. /Gazeta Sinjali/