image Dështimi i Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri

Shqipëri

Dështimi i Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri

news image

Lëvizja Vetëvendosje dështoi në Shqipëri. Në zgjedhjet e 25 Prillit, partia e Albin Kurtit mori vetëm 3541 vota, nga mbi 1.66 milionë vota të hedhur gjithsej në mbarë vendin.

Tre kandidatët e saj që garuan si të pavarur në Tiranë, Gjirokastër e Lezhë kanë hyrë tashmë në listën e më pak të votuarve, raporton TVKlan.

Kreshnik Merxhani në Gjirokastër mori vetëm 148 vota, Iljaz Shehu në Lezhë 400 dhe Bojken Abazi në Tiranë 2993 vota, përfshirë këtu edhe votën e vetë Kurtit.

Rezultati është provë e një dështimi të dyfishtë, jo vetëm i kandidatëve, por edhe personalisht i Albin Kurtit, i cili edhe pse mban postin e kryeministrit të Kosovës u pa në Shqipëri duke bërë fushatë elektorale për Vetëvendosjen së bashku me ministrat e qeverisë së tij, një lëvizje kjo e paprecedent që shkaktoi reagime të forta politike në Prishtinë.

Politikanë në Kosovë akuzuan Kurtin se kishte braktisur vendin në mesin e pandemisë për të bërë fushatë në Shqipëri.

Si pjesë e fushatës elektorale u konsiderua në Kosovë edhe refuzimi që ai i bëri ofertës së kryeministrit Rama për të marrë vaksina nga Shqipëria, pasi e la vendin e tij pa vaksina vetëm për të mos i dhënë Ramës avantazh politik në mesin e fushatës.

E po ashtu, në inercinë e qëndrimeve për qëllime elektorale ishte edhe vonesa e tij në urimin për kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet në Shqipëri./Gazeta Sinjali/