28 për qind e votave nga zgjedhjet e 14 shkurtit janë refuzuar deri sot.
Organizata GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sihana Bejtullahu nga kjo organizatë procesin e numërimit të votave e cilësoi si shumë të ngadalshëm.
“Në ditën e martë ka filluar edhe verifikimi i personave të cilët kanë dërguar zarfet e tyre të supozuara me fletëvotime dhe procesin e kemi vlerësuar si shumë të ngadalshëm duke marrë parasysh që është ditur me herët numri shumë i madh i votuesve dhe tek dje KQZ ka vendosur që të rrisë numrin e personave të cilët verifikojnë secilin person që ka votuar nga jashtë”, tha ajo në klankosova.
Bejtullahu foli edhe për zarfet që janë refuzuar nga KQZ teksa tregoi edhe arsyen e refuzimit.
“Deri tani kemi 12 mijë e 746 persona të cilët janë refuzuar nga totali i 44 mijë e 720 fletëvotimeve të verifikuara. Nëse kjo përkthehet në përqindje i bie që 28% të të gjitha atyre fletëvotimeve që po verifikohen janë refuzuar dhe kjo është shifër goxha e lartë. Ajo që kemi mundur të shohim nga këtu është që shumica e personave që janë refuzuar janë persona që kanë votuar në grup – pra janë dorëzuar disa zarfe brenda një pakoje dhe në momentin e verifikimit nëse vetëm njëri prej tyre nuk i ka plotësuar kushtet e caktuara atëherë më rregulla i bie që e gjithë pakoja të refuzohet”, tha Bejtullahu. /Gazeta Sinjali/