Zëdhënësi i Komisionit Qendror për Zgjedhje, Valmir Elezi në një deklaratë për media ka dhënë detaje rreth numërimit të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Elezi njoftoi se nga procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime, deri më tani nga 6 mijë e 700 zarfe me fletëvotime janë aprovuar 4 mijë e 811 ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 891 zarfe me fletëvotime.
Elezi njoftoi se Qendra e Numërimit të Rezultateve po vazhdon punën deri te shpallja zyrtare e rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët e tyre.
“Deri tash nga 2 mijë e 382 vendvotime, janë procesuar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për 1.661 vendvotime apo rreth 70% si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 1.324 vendvotime apo rreth 59%”, ka deklaruar Elezi.
Po ashtu, tha Elezi, QNR-ja është duke vazhduar me skanimin e listës përfundimtare të votuesve, në të cilën janë nënshkruar votuesit në ditën e zgjedhjeve.
“Deri më tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve nga 1.244 vendvotime apo rreth 53% e saj. Ky aktivitet është i domosdoshëm për të na siguruar se nuk ka raste kur ndonjë votues ka marrë pjesë në votim në vendvotimin e tij të rregullt, por edhe në vendvotimin me kusht”, shtoi ai.
Sipas Elezit, arsyet se përse janë refuzuar kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të refuzuar në periudhën e aplikimit, nga votues të paidentifikuar (votim grupor), nga votues që kanë bashkangjitur dokumente jo-valide apo nga votues që kanë dërguar fletëvotime nga dy herë./GazetaSinjali/