Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (DKR), ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës prej një muaj paraburgim ndaj të pandehurit A.M., shtetas i Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘sulm seksual’, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjyqtarja e procedurës paraprake e DKR, Kadrie Goga-Lubishtani, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga prokuroria e shtetit.
Po ashtu, sipas saj, janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.