Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka diskutuar sot lidhur me rastin e vetëvrasjes së 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve.
Anëtarja e këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, Valdete Idrizi, tha se si komision po kërkojnë llogari lidhur me këtë rast.
“Secili prej neve anëtarëve të këtij komisioni përveç që i shprehnim shqetësimet tona dhe atë neglizhencën që e ka pasur institucioni përgjegjës Ministria e Shëndetësisë. Po kërkojmë do të thotë llogari, sepse dorëheqja është akt moral, le të jetë në ndërgjegjen e personave. Por, në anën tjetër përgjegjësisë nuk mund t’i ik asnjëri”, tha ajo.
Idrizi tha se i gjithë komisioni e ka mbështetur inicimin e PDK-së për krijimin e një komisioni hetimor për rastin e 26 vjeçarit që vdiq duke u hedhur nga kati i pestë i konviktit në Qendrën e Studentëve.
“Asnjë anëtarë i këtij komisioni nuk e ka kontestuar edhe faktikisht u deklaruan që do të bashkëpunojnë me çfarëdo nisme që merret për të hetuar, të gjithë pa dallim. Përveç koleges nga veriu që mungonte, të gjithë ishim prezentë dhe gjithë njëzëri e kemi shprehur edhe shqetësimin edhe interesimin edhe vullnetin dhe kontributin që mundet me dhënë si komision për të ndihmuar në hetimin sa më të shpejt të këtij rasti”, tha ajo.
Ajo tha se është shqetësuese trajtimi jo i barabartë i njerëzve për t’u futur në karantinë ose jo.
Do të shkojnë të vizitojnë Qendrën e Studentëve, aeroportin, pikat kufitare.
Ajo bëri të ditur se në këtë mbledhje të komisionit është trajtuar edhe vendimi i qeverisë për t’i ndarë 10 mijë euro për pagesën e rrymës për qytetarët e veriut të Kosovës./Gazeta Sinjali/