Deputetja e rizgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka paralajmëruar ndalimin e konsumimit të pijeve energjike nga fëmijët.
Pacolli tha se konsumimi i pijeve energjike nga fëmijët duhet të përfshihet në ligjin për mbrojtjten e konsumatorit, shkruan Gazeta Sinjali.
“Në ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, Neni 15, pika 1. “Ndalohet shitja, shërbimi dhe dhurimi i pijeve alkoolike dhe duhanit, personave nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare”. Këtë duhet ta ndryshojmë menjëherë në legjislaturën e ardhshme. Pijet energjike duhet të përfshihen”, ka shkurar ajo në Facebook.
Zyrtarja e LVV-së ka thënë se inspirimin për ta menduar këtë çështje ia dha një rast i sotëm në një market.
“Sot në mëngjes qëllova në njërin nga marketet e mëdha që operojnë në vend derisa ishte pushimi i gjatë i ndërrimit të parë të shkollës fillore që ishte në afërsi. Ajo që më ra në sy ishin artikujt ushqimor që ata blenin. Një grup i djemve 11-12 vjeç mbanin në dorë kanaçe me pije energjike që kishin blerë. Njëri nga ta, që dukej të ishte edhe më i ri në moshë, po e priste radhën që të paguaj. Ai mbante në dorë një litër e gjysmë pije energjike. Ndërsa për punëtoren kjo ishte një rutinë e përditshme”, ka shkruar ndëe tjerash Pacolli.
Ajo ka thënë se shkollat në të ardhmen duhet t’u ofrojnë fëmijëve ushqim dhe pije të shëndetshme. /Gazeta Sinjali/