image Deputetja e AAK-së: Ministria e Shëndetësisë duhet t’ia sigurojë qytetarëve terapinë për COVID-19

Shëndetësi

Deputetja e AAK-së: Ministria e Shëndetësisë duhet t’ia sigurojë qytetarëve terapinë për COVID-19

news image

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se në këtë kohë krize Ministria e Shëndetësisë duhet t’iu sigurojë qytetarëve terapinë për COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Kadrijaj thotë se ky virus e gjeti sistemin shëndetësor të Kosovës të papërgatitur. Tani thotë se është e rëndësishme që të zbatohen masat e nevojshme të parashikuara.

“Në këtë fazë, Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurojë kujdesin më të mirë për pacientët me COVID-19 duke siguruar gjithashtu që shërbimet thelbësore të vazhdojnë të ofrohen në spitale dhe të përmbushen nevojat e personave të sëmurë në komunitet, në të gjitha qytetet”, tha ajo në seancën ku po diskutohet për menaxhimin e pandemisë.

Deputetja e AAK-së me këtë rast ka kërkuar nga kolegët e saj deputetë që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Në këso lloj situate kur në pyetje është shëndeti i qytetarëve tanë, ne duhet të japim shembull nga ky Kuvend si institucioni më i lartë në Republikën e Kosovës. Duhet të reflektojmë dhe të mendojmë për ata që na kanë dhënë besimin që ne të jemi përfaqësuesit e tyre në këtë Kuvend, prandaj ta votojmë pa humbur kohë Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe t’i ndihmojmë qytetarët dhe bizneset e vendit tonë”./Gazeta Sinjali/