image Deputeti serb për targat: Kurti dhe Vuçiq po bëjnë politikë etno-nacionaliste, po nxitin konflikte në vend se të dialogojnë

Politikë

Deputeti serb për targat: Kurti dhe Vuçiq po bëjnë politikë etno-nacionaliste, po nxitin konflikte në vend se të dialogojnë

news image

Që nga mesnata e 1 nëntorit ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për qortim ndaj personave që nuk i kanë riregjistruar automjetet në targat RKS. Targat me akronimet serbe “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, do të largohen nga përdorimi, sipas kryeministrit Albin Kurti.

E për këtë vendim, pati kundërshtime e paralajmërime për bllokada nga Lista Serbe e cila është pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Reagime pati edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Megjithatë, qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit nuk po i duken politikë e mirë, deputetit nga partia Zajedno e koalicionit “Moramo”, Gjorgje Miketiç.

Miketiç, për Gazetën Sinjali u shpreh se çështja e targave është një problem që do të nxit tensione mes dy vendeve, e kjo, sipas tij, vjen për shkak të politikave, siç i quan ai “konfiktuoze” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq.

“Kjo “luftë e targave të makinave” është vetëm manovra e fundit e kësaj politike nacionaliste dhe konfliktuale, siç ka pasur edhe shumë të tjera më parë. Njerëzit thjesht vuajnë dhe shtyhen në pasiguri dhe varfëri të vazhdueshme”, tha Miketiç për Sinjalin.

Ai shtoi se mes Kurtit dhe Vuçiq mungon dialogu andaj e vlerëson si “politikë etno-nacionaliste”.

“Ka shumë hipokrizi dhe qëllime të këqija në këtë politikë etno-nacionaliste në të dyja anët, si e Vuçiqit ashtu edhe e Kurtit. Ne duhet ta kundërshtojmë këtë politikë represive dhe të shtyjmë për dialog dhe politikë që do të përmirësojë jetën, jo trazirat apo dhunën”, u shpreh ai.

Ndërsa, shton se partia “Zajedno” është pro zgjidhjes që “do të përmirësonin jetën dhe punën e njerëzve në etninë serbe dhe atë kosovare”.

Ndryshe, plani i Qeverisë së Kosovës do të zbatohet në disa faza dhe parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS.

Periudha e qortimit për qytetarët me targa ilegale do të jetë deri më 21 nëntor e më pas do të hyjë në fuqi periudha e dytë ajo e gjobitjes.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.

Kurti, ka njoftuar se qytetarët në Veri deri më 31 mars do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore pasi të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS të cilat arrijnë shifrën deri në 5 mijë euro.

Për planin e ri për targat, shefi i ekzekutivit tha se i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë.

Por, pas bërjes publike të vendimit të Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja u shprehën të “zhgënjyera” me mosshtyrjen e afatit për riregjistrim.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtyjë afatin për targat për dhjetë muaj.

/GazetaSinjali/