Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka folur rreth çështjes së kompensimeve për karburant të kolegëve të tij.
“Jemi duke folur për standarde të larta të integrimit në BE, në botën e civilizuar dhe deputetët e popullit tim nuk duhet të dukën leckaman apo më poshtë sesa deputetët e parlamenteve të botës”.
“Të gjithë e kanë ditur se ekziston ajo rregullore, prandaj ky është akt tipik socialist, komunist për të përfituar mendësinë e masave, të cilët jetojnë në një gjendje të mjerueshme”, është shprehur Berisha.
Tutje, ai kritikoi kolegët e tij nga Vetëvendosje, të cilët e hoqën ujin nga bufeja e kuvendit, ku tha se tash aty s’ka as shishe me ujë e zgjidhjen duhet ta bëjnë në tualet, teksa shtoi se ambienti në kuvend është mbytës.
“Salla e kuvendit nuk ka ajër të natyrës por të kondicionuar dhe është ambienti më i tmerrshëm për të qëndruar në të për më shumë se një orë dhe këto tematika se do të jemi në një rrafsh me popullin, e hoqën ujin, sollën disa shishe e i hoqën edhe ato dhe tash duhet të shkojmë në tualet për ta zgjidhur këtë problem. Ambienti në kuvend është ambient mbytës”.
“Disa zotërinjtë që luftuan kundër produkteve jo-vendore, Bekë Berisha bëri një tallje dhe e mbyllën bufenë, pastaj sollën shishe me ujë dhe u tallen me deputetë dhe na dolën se po u kursyekan 28 mijë euro në vit. Kjo është mendësi komuniste që në popullin tonë shitet dhe këto gjeste duken madhështore”, është shprehur Berisha.
Ai, më tej, akuzoi qeverinë duke thënë se deputetët dhe qeveritarët e tanishëm nuk do të bëjnë shtet kurrë, sepse sipas tij, janë të varfër në shpirt, ndërsa sipas Berishës, udhëtimi me autobus për një deputet është mendësi komuniste.
“28 mijë euro për shtetin që sjell ujë për deputetët që rrinë nga 12 orë, nuk është kursim, por këto tregojnë se këta nuk do të bëjnë shtet kurrë, se janë të varfër në shpirt dhe të ngushtë në mendje”.
“Nëse deputeti udhëton, duhet t’i sigurohen të gjitha kushtet që në mënyrë komode ai të udhëtojë dhe të jetë në kohë aty ku kërkohet. Është mendësi komuniste tendenca me pritë që një deputet të udhëtojë me autobus e të vijë në seanca e komisione”, ka thënë Berisha, njofton Klankosova.tv.