image Deputeti i AAK-së publikon dokumente: Në Lumin Danub u gjetën mbetje mortore të kosovarëve të masakruar nga Serbia

Sociale

Deputeti i AAK-së publikon dokumente: Në Lumin Danub u gjetën mbetje mortore të kosovarëve të masakruar nga Serbia

news image

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla ka publikuar disa dokumente, të cilat thotë se dëshmojnë se në Lumin Danub në Serbi janë gjetur mbetje mortore të kosovarëve të masakruar gjatë gjenocidit serb në Kosovë.

Syla i referohet një dëshmitari me iniciale D.F., për të cilin thotë se në vitin 2001 ka qenë anëtar i “Grupit punues” që ka marrë në pyetje më shumë se 30 persona për rastin e këtyre mbetjeve mortore.

“Po ashtu, ky person ka marrë në pyetje edhe të dyshuarit për vrasjen e vëllezërve Bytyqi. Fakti më interesant është se anëtar i këtij grupi punues ka qenë edhe Milorad Veljoviç, i cili ishte deri para dy viteve Drejtor i Policisë së Serbisë, e po ashtu edhe pjesë e aparaturës që kreu krime në Kosovë”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Sipas Sylës, debati publik që po zhvillohet në Serbi këto ditë, po zbulon fakte të reja.

“Nenad Çanak kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, citoi liderin demokrat serb Gjingjigj të ketë thënë: ‘Jo, jo. Këtë punë duhet hetuar, por nuk duhet dhënë shumë publicitet, sepse kush do të investojë në një shtet ku sa herë që të mihësh tokën do ta nxjerrësh një kafkë’. Të njëjtat fjalë i konfirmoi edhe kryetari i Partisë Liberale Demokratike serbe, Çedomir Jovanoviq”, ka shkruar ai.

Deputeti i AAK-së thotë se tribunalet ndërkombëtare janë të zënë me trajtimin e luftëtarëve të lirisë, e nuk kanë kohë për krimet dhe kriminelët e vërtetë.

Ai premton se partia e tij do të vazhdojë të jetë pranë viktimave, duke kërkuar drejtësi për ta dhe do të vazhdojë solidarizimin me familjarët që humbja e të dashurve “në mënyrën më makabre”, iu la plagë të pashëruara në shpirt./Gazeta Sinjali/