Për deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Bekë Berisha, tubimet në kohë pandemie dhe shkuarja në iftar është gjë e zakonshme. Këtë të paktën e reflekton në dy-tri postimet e tij të fundit në Facebook.
Ndonëse Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), vazhdimisht u bën apel qytetarëve të shmangin vizitat familjare/shoqërore në kohë pandemie, të mbajnë dictancën fizike dhe të vendosin maska e dorëza në mënyrë që të mbrohen nga virusi i padukshëm Covid-19. Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, promovon të kundërtën në profilin e tij në Facebook.
Hiç më larg se mbrëmë, Bekë Berisha, ka qenë pjesëmarrës në një iftar në Gjilan bashkë me disa pjesëtarë të strukturave të AAK-së.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Berisha, në një postim në Facebook.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar deputetin Berisha për të pyetur nëse i njeh rekomandimet e IKSHPK-së dhe pse po i shkel ato. Në një bisedë për Gazetën Sinjali, deputeti tha se rekomandimet janë përzier dhe më s’po dinë as çka me respektu.
“Po na e kanë pshtjell, na nuk po e dimë cilat janë vendimet. Edhe ju portalet edhe qeveria edhe komuna edhe tan po dalin me versione të ndryshme. Edhe tash na jemi të ç’orientuar, s’po dimë më as çka me respektu”, tha Berisha për Gazetën Sinjali.
Ai shtoi se më nuk e ka të qartë se çka po ndodh, duke përmenduar provën për protesta të 400 personave në sheshin kryesor të Prishtinës.
“Nuk e di na e keni përzi ju e IKSHPK-ja e Qeveria e krejt dyjeja, dmth e dini që janë dalë 400 veta kanë bo protestat në shesh. Më nuk e kemi të qartq kurgjë hiç çka është duke ndodh”.
Deputeti Berisha tha se po mundohet me i la duart e me mbajt distancë, e daljen e tij e arsyetoi me atë se ‘gjithë qyteti po është plotë njerëz’. Deputeti shtoi tha se masat e Qeverisë nuk mund t’i zbatojë as policia për shkak se sipas tij ne nuk kemi Ligj për pandeminë.
“Unë jam ka rri me popull, i zgjedhur prej popullit me ata jam ka rri, kaniherë pak më shumë, po mundohem me i la duart që po thojnë qitni dorëza e maska e me mbajt distancë. Por, mengjithatë ne jëmi në punë edhe jemi dalë. Gjithë ditën është plot qyteti njerëz, janë do rregulla që janë shpall prej qeverisë po kerkush nuk i repskton as policia nuk mundet mi zbatu sepse nuk kemi Ligj për pandeminë, kështu që është ç’orientim edhe për neve edhe për popullin”, përfundoi Berisha.
Ndryshe, Policia e Kosovës çdo ditë njofton për ndalimin e qytetarëve që nuk i respektojnë masat e Qeverisë gjatë kohës e pandemisë. /Gazeta Sinjali/