image Deputetët dorëzojnë rezolutën, kërkojnë nga Kuvendi i Serbisë dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

Politikë

Deputetët dorëzojnë rezolutën, kërkojnë nga Kuvendi i Serbisë dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

news image

Grupi Parlamentar në Kuvendin e Serbisë “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak”, i cili përbëhet nga deputetët e komunitetit boshnjak dhe atij shqiptar, sot kanë dorëzuar në procedurë parlamentare rezolutën, e cila dënon gjenocidin i cili ka ndodhur në Bosnje dhe Hercegovinë.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka deklaruar se është koha që Kuvendi i Serbisë të deklarohet për pranimin e gjenocidit të Srebrenicës ku u vranë mbi 8 mijë burra mysliman.

Këto janë pikat e rezolutës:

1. Dënohet ashpër gjenocidi në Srebrenicë.

2. Dënohet cilido mohim i këtij gjenocidi.

3. Data 11 korrik shpallet Dita e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

 4. Gjykohet çfarëdo glorifikimi i krimeve të luftës dhe kriminelëve të dënuar.

5. Shprehet keqardhje për të gjitha viktimat e pafajshme të luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe familjet e tyre dhe ftohen të gjitha shtetet fqinje të vazhdojnë të sigurojnë drejtësi dhe mbështetje të përhershme ndaj të mbijetuarve dhe viktimave të dhunës seksuale.

6. Dëshmohet vendosmëria e shtetit të parandalojë gjenocidin dhe krimet tjera të rënda dhe konfirmon qëndrimet e dokumentit final të Samitit botëror të vitit 2005 për përgjegjësinë e mbrojtjes së popullsisë nga gjenocidi, krimet e luftës, pastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit.

7. Garantohet ratifikimi dhe implementimi i plotë i Konventës mbi parandalimin dhe dënimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe krimit kundër njerizimit dhe aprovohen ligjet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve nga kjo Konventë.

8. Mbështeten përpjekjet për kryerjen e hetimeve dhe procesuimin e të gjithë të akuzuarve për gjenocid në Srebrenicë, ndërsa obligohet që do të shfrytëzohen të gjitha mjetet dhe mekanizmat të cilat ndodhen në dispozicion që të kryhen hetimet dhe të procedohen gjithë përgjegjësit.

9. Theksohet rëndësia përmbajtjësore e pajtimit e cila është e bazuar në dialog, ballafaqim me të kaluarën dhe përkushtim për arritjen e drejtësisë dhe mbështetjen e viktimave, si bazë për të forcuar dhe siguruar stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

10. Obligohet shteti për zhvillimin e programeve edukative përmes të cilave gjeneratave të ardhshme do t’ia rikujtojnë cilat janë leksionet e nxjerra nga gjenocidet e kaluara, krimet e luftës, pastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit me qëllim të mos përsëritjes së tyre.

11. Vërtetohet rëndësia e leksionit mbi mossuksesin që të parandalohej gjenocidi në Srebrenicë, siç është përmendur në Raportin e Sekretarit gjeneral të Kombeve të Bashkuara në përputhje me rezolutën Asamblesë së përgjithshme 53/35 dhe vendosë që me kohë dhe në mënyrë efikase të veprohet në parandalimin e përsëritjes së tragjedive të këtij lloji dhe për këtë qëllim të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion.

12. Merret qëndrim që shkelja e të drejtave të njeriut dhe pakicave mund të jenë tregues të hershëm të mundësisë së gjenocidit dhe në këtë aspekt obligohet ky Kuvend të aprovojë ligjet dhe akte të tjera obligative të cilat padyshim do të garantojnë mbrojtjen dhe realizimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe do të siguroj pakicave kushte për realizimin e të drejtës për ekzistencë politike, barazi dhe dinjitet. /GazetaSinjali/