Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi ka marrë kritika të shumta në vend dhe është dënuar, shkruan Gazeta Sinjali.
Reagime të shumta ka edhe nga spektri politik.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, thotë se sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është sulm ndaj fjalës së lirë dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
“Ftoj organet e rendit për ndriçim sa më të shpejtë të këtij akti qyqar, ndërsa gazetarit Duriqi i uroj shërim dhe kthim sa më të shpejt në kryerjen e detyrës së tij. Dhuna dhe tendenca për frikësim të gazetarëve është përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes dhe zhbërje të demokracisë, e cila nuk duhet te tolerohet sepse e drejta e fjalës së lirë është e garantuar me ligj”, shkroi Hoti.
Edhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) në Leipzig, Gjermani, ka reaguar ndaj sulmit brutal të gazetarit hulumtues, Visar Duriqi.
“Ne e dënojmë këtë sulm brutal ndaj gazetarit Visar Duriqi. Kryeprokurori Aleksander Lumezi të hetojë urgjentisht dhe tërësisht dhe të kërkojë përgjegjësi nga kriminelët”, thuhet në reagimin e ECPMF.
Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë u shpreh thellësisht e tronditur me sulmin ndaj gazetarit Duriqi.
“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë në një mjedis të lirë dhe të sigurt”, thuhet në reagim në të cilin u bëhet thirrje autoriteteve që të hetojnë me shpejtësi incidentin dhe të vënë autorët para drejtësisë.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë po ashtu se është tronditur nga pamjet e tmerrshme të sulmit.
“Liria e shprehjes, e medias dhe informaciomit janë të drejta kyçe që garantohen me kornizën kombëtare e ndërkombëtare ligjore! Sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave janë sulme të drejt për drejta ndaj demokracisë sonë!. Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse që, sa më parë, të ndriçojnë këtë rast “në mënyrë që kryesit e kësaj vepre të marrin dënimin e merituar!”, shkroi ajo.
Për sulmin kanë reaguar edhe ministri në detyrë i Drejtësisë dhe ish-ministrja e Drejtësisë.
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se dhuna në çdo formë është e papranueshme, por sipas tij më e rrezikshme bëhet kur tentohet të ndalohet fjala e lirë.
“Dhuna e ushtruar sot ndaj gazetarit Visar Duriqi është e dënueshme dhe kushdo që qëndron prapa këtij akti, duhet të ndëshkohet nga organet kompetente. Liria e fjalës është e drejtë themelore dhe ndër shtyllat kryesore të një shteti demokratik”, ka shkruar në Facebook, Selimi.
Ish-ministrja Haxhiu ka thënë se sulmet e tilla fizike janë cenim i mendimit e fjalës së lirë dhe se në shoqërinë tonë këto janë të patolerueshme.
Madje ajo ka thënë se çdokush ka të drejtë të mendojë dhe të shprehet lirshëm.
“Nuk duhet me domosdo të pajtohemi me mendimet, por medoemos nuk duhet të pajtohemi me asnjë sulm ndaj mendimeve e shprehjes së lirë. Sulmet e tilla fizike si kjo ndaj gazetarit Duriqi janë cenim i mendimit e fjalës së lirë. Në shoqërinë tonë këto janë të patolerueshme. Çdo sulm ndaj mendimit është njëherazi sulm ndaj lirisë, ndërkohë që pa këtë të fundit nuk mund të ketë as mendim. Andaj, çdokush ka të drejtë të mendojë dhe të shprehet lirshëm”, shkroi ajo.