Infermieri, William Davis, 37 vjeç, u dënua për vrasje të rëndë nga një gjykatë në Teksas, të martën dhe tani mund të përballet me dënimin me vdekje.
Ai është shpallur fajtor për vrasjen e katër pacientëve që vdiqën pasi ai u injektoi atyre ajër pas operacioneve në zemër.
Siç raporton BBC, prokurorët thanë se ai kishte në shënjestër shtatë persona nga qershori i vitit 2017 deri në janar të vitit 2018.
Burrat, të moshës 47-74 vjeç, përjetuan “simptoma të ngjashme me konvulsione” dhe vdiqën nga dëmtimi fatal i trurit, pasi ajri u injektua në linjat e tyre arteriale.
Autoritetet thanë se mjekët panë skanimet CT që tregonin ajër në trurin e pacientëve dhe kuptuan se diçka nuk ishte në rregull.
Mjeku William Yarbrough, një pulmonolog me bazë në Dallas, i tha jurisë se ai kurrë nuk kishte hasur një rast të tillë në dekadat e tij në mjekësi.
Gjatë gjykimit, u paraqitën pamjet e sigurisë të Davis duke hyrë në dhomën e njërit prej pacientëve, alarmi i monitorit të zemrës së të cilit u dëgjua vetëm tre minuta më vonë. Më vonë ai vdiq nga injeksioni./Gazeta Sinjali/