Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra e ka kritikuar presidenten Osmani për heshtjen ndaj Kodit Civil, shkruan Gazeta Sinjali.
Deliu tha se mosreagimi i Osmanit për këtë çështje e “ridëshmon për të satën herë mungesën e aftësisë për të udhëhequr, së pari nga parimet humane e mandej politike”.
“E papranueshme mbetet heshtja e presidentes, mungesa e guximit minimal për t’u deklaruar për çështjet që kërkojnë përfshirjen e saj si përfaqësuese e unitetit, gardiane e mbrojtjes së të drejtave njerëzore, e mbi të gjitha si një grua – në rastin konkret të dështimit të miratimit të Kodit Civil, i cili afekton të drejtën e trashëgimisë për gratë. Pozita që mban nuk e toleron kalkulimin personal mbi interesin e përgjithshëm. Përndryshe, kjo cilësohet abuzim me pozitën dhe ushtrimin e detyrës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Postimi i plotë:
Qeveria e arrogancës së numrave dështoi të sigurojë votat në radhët e veta për të miratuar Kodin Civil, i cili përveç tjerash, parasheh edhe përmirësimin e bazës ligjore të të drejtës së grave në trashëgimi. Ne si parti e kem arsyetuar qëndrimin tonë në Kuvend. Derisa shumica parlamentare mbivoton çdo iniciativë që në parashtrojmë (qoftë, projektligje, amendamente, rezoluta e akte të tjera, që në epiqendër kanë mbrojtjen e interesit të qytetarëve), duke demonstruar arrogancë pa dhënë asnjë shpjegim, ne nuk mund të rrijmë indiferent përballë kësaj qasje përjashtuese e shpërfillëse. Prandaj, ata e kanë përgjegjësinë e plotë edhe në rastin e votimit të këtij projekt-akti.
Po ashtu, e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme mbetet heshtja e Presidentes. Mungesa e guximit minimal për t’u deklaruar për çështjet që kërkojnë përfshirjen e saj si përfaqësuese e unitetit të popullit, e mbi të gjitha si një grua – kur bëhet fjalë, si në rastin konkret- lidhur me Projekt-Kodin Civil, i cili rregullon çështjet familjare, trashëgimore e veçanërisht, rolin e gruas në këto marrëdhënie.
Presidentja po e ridëshmon për të satën herë radhazi se ka deficit të theksuar të lidershipit dhe është e gatshme ti qëndroj besnike e madje ti nënshtohet kryeministrit, pa tentuar asnjëherë të kundërbalancoj politikat e qeverisë, veçmas kur ato nuk përfillin koncensusin dhe kompromisin e nevojshëm politik.
Pozita që mban nuk e toleron kalkulimin personal mbi interesin e përgjithshëm. Përndryshe, kjo cilësohet abuzim me pozitën dhe ushtrimin e detyrës!