Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se e ka marrë përgjigjen e analizave për Covid-19 dhe ka rezultuar se nuk është i prekur nga ky virus.
Edhe pse mori një lajm të mirë nga analizat, Spasovski deklaron se do të vazhdojë të qëndrojë dhe për disa ditë të tjera në izolim, pas rekomandimeve nga mjekët epidemiologë.
“U përmbahem rekomandimeve dhe këshillave të mjekëve, më me disiplinë. Në ditët e vetizolimit prej në shtëpi përmes mjeteve digjitale i kryej të gjitha aktivitetet lidhur me udhëheqjen e Qeverisë në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme. Piku i infektimit është ende këtu, por efektet e respektimit të masave janë të dukshme për të gjithë”, shkruan Spasovski.
Kryeministri Spasovski iu nënshtrua testit për koronavirus pas kontaktit që ai pati me kreun e Komunës së Kumanovës i cili rezultoi i prekur me virusin me origjinë nga Kina. /Gazeta Sinjali/