image Deklarata e Gashit nuk është ‘lajm’ për Kurtin, VV thoshte se ‘NATO ka intervenuar për ta rënduar katastrofën’

Politikë

Deklarata e Gashit nuk është ‘lajm’ për Kurtin, VV thoshte se ‘NATO ka intervenuar për ta rënduar katastrofën’

news image

Deklarata e këshilltarit të Albin Kurtit, Shkëlzen Gashit, për vrasjen e një mijë civilëve serbë nga anëtarët e UÇK-së, nuk është e padëgjuar më parë. Në gazetari, kur qëndrimet e të tjerëve janë të njohura për publikun thuhet se më nuk janë ‘lajm’. Por, e tillë nuk ishte për mediat që kontrollohen nga Vuçiq, deklarata e Gashit u bë ‘lajm i madh’ në mediat serbe.

Po të kërkosh në internet rreth emrit të Shkëlzen Gashit, shfaqen deklarata kontradiktore për Kosovën, përmes së cilave pretendon se shqiptarët kanë kryer krime ndaj serbëve. Në një paraqitje të tij, Gashi, Rajonit të Dukagjinit i referohet njësoj si serbët ‘Metohi’, e aty thotë se shqiptarët kanë kryer krime të tmerrshme edhe ndaj malazezëve.

“Shqiptarët për fat të keq kanë kryer krime ndaj serbëve e malazezëve, janë kry krime të tmerrshme ndaj malazezëve sidomos në Metohi ose Dukagjin”, kishte deklaruar këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi.

E reagimet e shumta që ka nxitur deklarata e mbrëmshme e Gashit, duket se nuk po i bëjnë përshtypje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Kurti ka zgjedhur heshtjen përballë presionit publik për shkarkimin e Shkëlzen Gashit, nga pozita e këshilltarit.

Me një diskurs të ngjashëm si të Gashit, dëshmohet se Lëvizja Vetëvendosje ka folur një dekadë më parë. Një vështrim i një shkrimi të publikuar në vitin 2010, partia e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, pretendon se forcat e NATO-s kanë intervenuar në Kosovë për ta ‘rënduar katastrofën’.

Në shkrimin e titulluar ‘Për çfarë ka intervenuar NATO në Kosovë?’, LVV-ja akuzon bashkësinë ndërkombëtare dhe NATO-n, se me bombardimin e forcave paramilitare serbe ‘është ruajtur integriteti dhe sovraniteti territorial i Jugosllavisë’.

Shkrimi është i mbështetur në deklarata të autorëve të ndryshëm dhe është botuar në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, si i tillë qëndron edhe sot. Aty citohen njëanshëm deklaratat që janë në një linjë me pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje, madje në një paragraf të shkrimit citohet edhe një ‘ekspert kosovar’, të cilit nuk ia përmendin emrin por vetëm konstatimin e tij se ‘rezultati përfundimtar i bombardimeve të NATO-s ka qenë ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë dhe si rrjedhojë Kosovës i është imponuar vetëvendosje e brendshme’.

Në disa pjesë të shkrimit, Lëvizja Vetëvendosje deklaron se NATO ka garantuar mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë.

Po këtu, Lëvizja Vetëvendosje vë në pikëpyetje preokupimet e bashkësisë ndërkombëtare për fatin e kosovarëve, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu dyshon në qëllimin humanitar të intervenimit të tyre.

“Pasiqë bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë e preokupuar me fatin e qytetarëve të Kosovës dhe pasiqë qëllimet e saj kanë qenë qëllime humanitare, atëherë pse ajo ka vendosur që para fillimit të intervenimit të NATO-s t’i lë qytetarët e Kosovës nën mëshirën e regjimit të Millosheviqit duke e larguar KVM-në nga Kosova?!”, shtron një pyetje LVV.

Ndryshe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por edhe zyrtarë të lartë të partisë së tij, vazhdimisht kanë marrë kritika për qasjen e tyre ndaj ShBA-së, madje sipas shumë njohësve të politikës, Kurti edhe ka rrezikuar raportet e mira të Kosovës me shtetin më të fuqishëm në botë, Amerikën.

Duke klikuar në këtë link mund të lexoni shkrimin e plotë të tyre. /Gazeta Sinjali/