Pasi i kërkoi Perëndimit që të mos përhapë panik në krizën me Rusinë, një tjetër reagim i fortë vjen nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Duke iu përgjigjur interesit të gazetares së BBC, Zelensky akuzon disa vende evropiane se po bëjnë lojën e Rusisë, duke bërë presion për ta mbajtur Ukrainën jashtë NATO-s.
“Ne nuk mund t’i mbyllim sytë… dhe të themi se është vetëm Rusia që nuk na do atje. Nuk është e vërtetë. Disa vende të BE-së, luajnë së bashku me Rusinë… gjë që është e gabuar”.
Duke pranuar se rruga drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE do të ishte e gjatë, ai thekson se për të si president, gjëja më e rëndësishme në këtë rrugë, është të mos humbasë vendin e tij.
“NATO është një garanci e sigurisë. Pra, si mund të zgjedhim ndonjë rrugë tjetër? Për ne, është një garanci për të mos humbur pavarësinë tonë”.
Presidenti gjithashtu përjashton çdo referendum kombëtar për anëtarësimin në NATO, duke thënë se dëshira e Ukrainës për të qenë anëtare, është e shkruar tashmë në kushtetutën e vendit.
Zelensky gjithashtu akuzon Rusinë për nxitjen e një krize për çështjen e anëtarësimit në NATO “për të justifikuar të qenit në kufi… se ata gjoja po mbrojnë sovranitetin e tyre… të gjitha këto janë informacione të shtrembëruara”.
Lavrov akuzon NATO-n: Ka kaluar vijën, po bën të njëjtën gjë për të cilën na akuzon ne
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka akuzuar NATO-n se po bën pikërisht të njëjtën gjë për të cilën akuzon Rusinë. Duke iu përgjigjur një deklarate të aleancës që njoftonte se po vendoste forca shtesë, ai tha se NATO ka kaluar kufirin.
“Por sigurisht pjesa më pikante e deklaratës është fillimi: “Ne jemi shumë të shqetësuar nga përmasat shumë të mëdha, të paprovokuara dhe të pajustifikuara të ushtrisë ruse në dhe rreth Ukrainës dhe Bjellorusisë. Çfarë mendoni për këtë? E dini, kjo ndjenjë e epërsisë personale dhe pagabueshmërisë personale për mendimin tim tashmë ka kaluar kufirin dhe për fat të keq, kolegët tanë të NATO-s thjesht nuk mund ta shohin këtë vijë”.