image Defterin plot me vepra penale, ky është 31-vjeçari i arrestuar në Fushë Kosovë – dyshohet edhe për vrasje në tentativë

Ekskluzive

Defterin plot me vepra penale, ky është 31-vjeçari i arrestuar në Fushë Kosovë – dyshohet edhe për vrasje në tentativë

news image

Mbrëmjen e 18 shtatorit të vitit të shkuar, në parkingun e pompës së derivateve ‘Kastrati’ në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Fushë Kosovë, kishte ndodhur një gjuajtje me armë. Lidhur me rastin ishin arrestuar fillimisht Xhevat Morina e më vonë edhe Liridon Ukaj, teksa mbrëmë pas mesnate është arrestuar edhe i dyshuari i tretë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Debatik Kolukaj, 31-vjeçar, i cili u arrestua mbrëmë rreth orës 01:30 në rrugën ‘Çajupi’ në Fushë Kosovë.

Kolukaj u kap pasi disa ditë më parë u denoncua nga një person për kanosje me armë si pasojë e një mosmarrëveshjeje në komunikacion. 31-vjeçari dyshohet se kishte dalë nga vetura e tij dhe kishte nxjerrë armën që kishte me vete.

Pasi rasti është denoncuar në Polici dhe pas veprimeve hetimore është zbuluar se i dyshuari është pikërisht Debatik Kolukaj, i cili dyshohet për një sërë veprash penale, përfshirë edhe ‘Vrasje në tentativë’.

Kolukaj u arrestua mbrëmë nga Policia në hyrje të një objekti banesor dhe gjatë kontrollit trupor të njëjtit i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me një karikator dhe fishekë dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

31-vjeçari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprat penale ‘Vrasje në tentativë’, ‘Rrëmbim’, ‘Lëndim i lehtë trupor’, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ‘Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, ‘Kanosje’, ‘Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/