image Edhe një i dyshuar në prangat e Policisë për tentim vrasjen në parkingun e pompës ‘Kastrati’ në Fushë Kosovë

Siguri

Edhe një i dyshuar në prangat e Policisë për tentim vrasjen në parkingun e pompës ‘Kastrati’ në Fushë Kosovë

news image

Një muaj pas tentim vrasjes në parkingun e pompës së derivateve “Kastrati” në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, është ndaluar edhe personi i dytë që dyshohet se bashkë me dy të tjerë, është përfshirë në këtë rast. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që ishte shpallur në kërkim nga Policia muajin e kaluar ka vendosur të dorëzohet, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali bëhet fjalë për L.U., 28-vjeçar, i cili gjatë ditës së djeshme është paraqitur në Polici, ku është intervistuar në lidhje me motivet dhe detajet e rastit dhe më pas ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit për 48 orë.

Ai bashkë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është kapur nga Policia po dyshohen për rastin e gjuajtjes me armë që ndodhi më 18 tetor.

Personi që është dorëzuar disa ditë pas ngjarjes si i dyshuar për këtë rast është Xhevat Morina, teksa edhe një person tjetër ndodhet akoma në arrati, duke iu ikur kështu prangave të Policisë.

Tre personat që janë cak i hetimit nga ana e Prokurorisë po dyshohen për tri vepra penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/