image Ky është i arrestuari për tentim vrasjen në parkingun e pompës 'Kastrati' në Fushë Kosovë, zbulohen edhe dy të dyshuar

Siguri

Ky është i arrestuari për tentim vrasjen në parkingun e pompës ‘Kastrati’ në Fushë Kosovë, zbulohen edhe dy të dyshuar

news image

Pas disa ditësh në arrati, i dyshuari për tentim vrasjen në parkingun e pompës së derivateve “Kastrati” në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë është dorëzuar në Polici. Ai bashkë me dy persona të tjerë, që ende nuk janë kapur nga Policia po dyshohen për rastin e gjuajtjes me armë që ndodhi më 18 tetor, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se personi që është dorëzuar në Polici gjatë ditës së djeshme, si i dyshuar për këtë rast është Xhevat Morina, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Përveç tij, Sinjali mëson se janë identifikuar edhe dy persona të tjerë, që janë shpallur në kërkim nga Policia, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

Të njëjtat burime thonë se bëhet fjalë për D.K., dhe U.K., emra të njohur për redaksinë, por që nuk do të publikohen derisa të kapen nga Policia e Kosovës.

Tre personat që janë cak i hetimit nga ana e Prokurorisë po dyshohen për tri vepra penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/