Moska zyrtare ka reaguar pas vendimit të Greqisë për dëbimin e 12 diplomatëve rusë.
Në një deklaratë të publikuar së fundmi, ambasada ruse në Greqi njofton se vendimi i marrë nga ministria e Jashtme nuk do të mbetet pa pasoja.
“Më 6 prill 2022, ambasadori rus në Greqi Andrei Maslov u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, ku u informua për vendimin e Athinës për të shpallur persona non grata 12 diplomatë të Ambasadës dhe Konsullatës së Përgjithshme në Selanik. Nga ana jonë, ne kemi protestuar fuqishëm kundër këtij hapi të pajustifikuar dhe të diskutueshëm që synon shkatërrimin edhe më të keq të të gjitha marrëdhënieve tona dypalëshe. Ne theksuam se ky veprim nuk do të mbetet pa pasoja”, thuhet në deklaratë
Kujtojmë se më herët gjatë të mërkurës, ministria e Jashtme greke njoftoi për deportimin e 12 diplomatëve rusë.
Në njoftimin përkatës theksohet: “Autoritetet greke kanë shpallur persona non grata 12 anëtarë të Misioneve Diplomatike dhe Konsullore të Federatës Ruse, të akredituar në Greqi. Të lartpërmendurit u shpallën të padëshirueshme në përputhje me dispozitat e Konventës së Vjenës për Çështjet Diplomatike të vitit 1961 dhe Konventës së Vjenës për Çështjet Konsullore të vitit 1963…”