Një mosmarrëveshje familjare mes dy motrave ka eskaluar në një incident që ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ekipeve emergjente në Pejë.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 6 qershorit 2026 në rrugën “Adem Jashari”, ku Policia është njoftuar për një rast të dyshuar të dhunës në familje.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime të besueshme, viktima A. D. ka deklaruar se gjatë një bisede në banesën e saj, ku ndodhej bashkë me motrën, A. M. D, dhe një shoqe të familjes, kishte shpërthyer një debat lidhur me një kredi.
Burimet bëjnë të ditur se pasi viktima i kishte thënë motrës se nuk kishte nevojë të hynte garantuese për kredinë, e dyshuara ishte revoltuar, duke filluar fillimisht me britma e më pas duke gjuajtur gota në drejtim të saj. Sipas deklarimeve, asnjëra prej gotave nuk e kishte goditur viktimën, por situata kishte vazhduar të përshkallëzohej me hedhjen e karrigeve dhe sendeve të tjera nëpër banesë.
Pas arritjes së Policisë në vendngjarje, e dyshuara dyshohet se kishte marrë një copë xhami me të cilën kishte lënduar veten në dorë. Zyrtarët policorë kanë ndërhyrë menjëherë, duke ia larguar mjetin e mprehtë dhe duke parandaluar lëndime të mëtejshme.
Në vendngjarje është ftuar edhe ekipi emergjent, i cili e ka transportuar të dyshuarën për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
A.M.D. është intervistuar nga hetuesit në prani të neuropsikiatrit dhe avokatit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale “Dhuna në familje”, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!