Rikthimi i Anthony Davies nuk i shërbeu aspak Los Angeles Lakers që të shmangë humbjen e tretë radhazi, pasi këtë herë kalifornianët u dorëzuan në transfertën ndaj Dallas Mavericks, ku u mposhtën me rezultatin 108-93.
Gjysma e parë e ndeshjes shkoi mjaft mirë për Lakers, që mori një avantazh prej 12 pikësh, por më pas gjysma e dytë u dominua totalisht nga vendasit e Dallasit, që përmbysën gjithçka dhe morën fitoren, falë edhe një performance mjaft të mirë të kanadezit Powell.
Skuadra e Dallasit regjistron kështu suksesin e tretë radhazi dhe është gjithmonë e më pranë blindimit të pozitave në zonën Play Off të renditjes në Konferencën e Perëndimit, ndërsa Los Angeles Lakers vijon të jetë në rënie të lirë.
Një nga sfidat më interesante të mbrëmjes ishte edhe ajo mes New Orleans Pelicans dhe San Antonio Spurs, që përfundoi me suksesin e këtyre të fundit me shifrat 108-110. Të udhëhequr nga Demar DeRozan, miqtë e Spurs patën një dominim të lehtë gjatë gjithë kohës, me përjashtim të fraksionit të tretë, që foli plotësisht për vendasit.
Me 39 pikë, 6 rikuperime dhe 2 asiste, Michael Porter u bë protagonist absolut i Denver Nuggets, që ia doli të fitojë bindshëm me shifrat 129-116 në “Ball Arena” ndaj Houston Rockets.
Vendasit zgjidhën gjithçka që në gjysmën e parë të lojës, duke dominuar totalisht fraksionin e parë dhe të dytë, ndërsa më pas u relaksuan disi, por avantazhi ishte komod dhe nuk vunë për asnjë moment në rrezik rezultatin.
Befason Minnesotta Timberwolves, që ia doli të triumfojë me rezultatin 96-101 në transfertën e Salt Lake City ndaj kryesuesve të Konferencës së Perëndimit, Utah Jazz.
Këta të fundit e nisën në mënyrë perfekte ndeshjen, falë një forme mjaft të mirë edhe të serbit Bogdanovic, por më pas ishin miqtë që morën kontrollin e lojës dhe përmbysën gjithçka, duke marrë një fitore që gjithsesi nuk i shërben shumë, pasi zona Play Off është shumë larg.
Në sfidat e tjera, Indiana Pacers triumfoi me rezultatin 115-109 ndaj Detroit Pistons, ndërsa Miami Heat fitoi me rezultatin e ngushtë 106-101 ndaj Chicagoi Bulls./Gazeta Sinjali Sporti/