Një çift në Britani të Madhe ishin të vendosur që të mos shkelin rregullat kundër COVID-19. Ata kanë respektuar distancën sociale në ceremoninë e tyre martesore, ku 250 dasmorë i ndoqën ata nga veturat e tyre duke i ndërruar unazat, pasi që ligjet në fuqi në këtë vend parashohin tubimet vetëm deri në 15 persona.
Pas ceremonisë martesore, dyshja nga Essexi, Roma Popat dhe Vinal Patel të dy 30-vjeçarë, festuan me dasmorët, të cilët me boritë e veturave sinjalizonin fillimin e një jete të re të çiftit.
Raportohet se 300 dasmorë tjerë që nuk kishin mundur të marrin pjesë në ceremoni, e kanë ndjekur atë nga transmetimi i drejtpërdrejtë.
“Kemi kaluar një ditë shumë të mirë – kemi pasur shumë telefonat dhe i kemi lutur të gjithë pjesëmarrësit që të respektojnë distancën sociale, nëse duan të jenë pjesë e ceremonisë tonë martesore”, kanë deklaruar dyshja.
Ky veprim i tyre është shpërndarë në masë të madhe nëpër rrjetet sociale, ku shumë prej komentuesve kanë duartrokitur dyshen për kujdesin e treguar, duke i uruar gjitha të mira në jetë. /Gazeta Sinjali/