Nga data 1 korrik është marrë vendim që të rifillohet puna në gastronomi. E po ashtu do të lejohet edhe organizimi i dasmave. Kjo pasi që Qeveria e Kosovës të martën ka shfuqizuar vendimin me të cilin i ndalonte tubimet, shkruan GazetaSinjali.
Ministria e Industrisë dhe Tregtisë do të hartojë një udhëzues me rekomandime, i cili mund të shfrytëzohet për oganizimet e tilla.
Këtë e ka bërë të ditur, Ministri i këtij dikasteri, Vesel Krasniqi, i cili tha se nga e mërkura do të fillojë puna për këtë udhëzim.
“Nga e mërkura, do të fillojmë me hartimin e një udhëzuesi që do të jetë publik për të gjithë. Ky udhëzues do të hartohet në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me rekomandime të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Sinjali.
Këto vendime u morën në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Kosovës.
Mirëpo, sipas Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, nëse ndryshon situata epidemiologjike, atëherë do të kthehen masat rigoroze.
Qeveria po ashtu ka marrë vendim për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe rifillimin e punës në autoshkollat e Kosovës. /GazetaSinjali/