image DASH: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës bën të qartë urgjencën e integrimit të Ballkanit Perëndimor

Politikë

DASH: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës bën të qartë urgjencën e integrimit të Ballkanit Perëndimor

news image

Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës e bën të qartë urgjencën në rritje që paraqet për aleancën transatlantike, integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor.

Ky qëndrim u shpreh të hënën nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, në përgjigje të një kërkese për koment nga Zëri i Amerikës, pasi 19 anëtarë të Kongresit amerikan i kërkuan administratës së Presidentit Joe Biden të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor.

Në një letër që ligjvënësit i dërguan javën e kaluar Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, ata shpreheshin se rritja e angazhimit amerikan është më e rëndësishme se kurrë në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj realizimit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Departamenti i Shtetit.

“Rusia ka qenë prej kohësh një forcë destabilizuese dhe burim dizinformimi në Ballkanin Perëndimor, për shembull, duke mbështetur një përpjekje për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016 dhe përpjekjet e vazhdueshme për të nxitur tensionet në Bosnje dhe Hercegovinë”, vazhdon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Ai shtoi se organizatat mbikëqyrëse të medias kanë kritikuar mediat e sponsorizuara nga Rusia, RT dhe Sputnik për fabrikimin e artikujve keqinformues dhe përhapjen e disinformacionit.

Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë, shpreheshin në letrën e tyre dërguar Sekretarit Blinken, se Shtetet e Bashkuara duhet të dyfishojnë përpjekjet për konsolidimin e demokracisë dhe për nxitjen e integrimit euro-atlantik të rajonit. /GazetaSinjali/