Kur jemi afër zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë, shumë prej partive politike nuk po i respektojnë masat antiCOVID, duke mbajtur tubime në kundërshtim me rregullat e Qeverisë. Madje për këtë, shumica e subjekteve tashmë kanë marrë gjoba, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndonëse jo në një tubim partiak, këto rregulla i ka shkelur edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Memli Krasniqi, i cili mbrëmë ka marrë pjesë në një ahengë me muzikë e valle.
Kështu ka bërë të ditur një sinjalizues i Gazetës Sinjali, i cili ka thënë se ky aheng është mbajtur mbrëmë në një nga hotelet e Prishtinës.
I njëjti sinjalizues ka dërguar video dhe fotografi nga kjo ndejë, ku shihet se janë mbledhur një numër i madh i njerëzve, duke shkelur kështu masat kundër COVID-19.
Ajo çfarë bie në sy janë pamjet teksa Krasniqi vallëzon me këngëtaren Shkurte Gashi.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Krasniqin për ta pyetur nëse ky aheng është mbajtur mbrëmë dhe detaje të tjera, i njëjti nuk i është përgjigj telefonatave të redaksisë, e as mesazhit të dërguar në numrin e tij kontaktues.