Mirlind Daku pritet që së shpejti të zyrtarizohet te Rubin Kazan.
Sulmuesi kosovar do të nënshkruajë kontratë tre-vjeçare me klubin rus, që do të paguajë 1.2 milionë euro për transferimin e tij nga Osijek.
Njëri nga trajnerët e parë të Dakut, Tahir Batatina, ka njoftuar se është përshëndetur me lojtarin në mëngjesin e ditës së sotme.
Ai tha se u emocionua kur u përshëndet me 25-vjeçarin, teksa i uroi suksese në vazhdim të karrierës.
Postimi i plotë nga Batatina (pa ndërhyrje):
“Sot së bashku me yllin e futbollit kosovar dhe ish yllin e skuadrës sime, Llapit, Mirlind Dakun, ishim në mengjes bashkarisht dhe isha për ta përcjellur drejt skuadrës së re ku u emocionova kur u përshendeta me të sepse kujtova ditët e para kur Lindin e transferova tek Llapi, si i besova dhe se sa shumë e mbështeta. Lindi na bëri krenar së pari mua, pastaj klubin, familjen dhe gjithë Kosovën sepse kur të tjerët nuk i besuan unë ja dhash besimin që sot është një yll i futbollit dhe nga sot fillon misioni i ri për Mirlind Dakun ku do na bëj krenar edhe në skuadrën e re dhe pres që shpejt prap të bëj hapin tjetër tek një skuadër edhe më e madhe evropiane. Shumë i lumtur që si trajner arrita që lojtarët të cilët i stërvita të bëhen yje të futbollit dhe lojtar milonësh. Rruga e mbarë Lindi e sukseset mos t’u ndalshin asnjëherë”.
Kujtojmë se edhe Llapi do të përfitojë nga shitja e Dakut te Rubin Kazan, pasi mban 15% të kartonit të tij.
Daku ishte pjesë e Llapit në sezonin 2017/18. Sulmuesi shtatlartë nga llapjanët ishte transferuar te Osijek në Kroaci.
Sulmuesi gjilanas në sezonin e fundit ishte i huazuar te Mura në Slloveni. Si i huazuar ai ka luajtur edhe te Kukësi e Ballkani.