Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se zgjedhjet e 14 shkurtit kanë qenë më të vështirat që ajo i ka organizuar.
“Kanë qenë zgjedhjet më të vështira edhe për këto përplasje, edhe për klimën e cila është krijuar për arsye të cilat nuk i di, po për vetë faktin se është dhënë një kahje e cila nuk është dashur të jetë”. tha Daka.
Kryetarja e KQZ-së nuk e ka komentuar deklaratën e presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, e cila në një mënyrë sikur e kishte kërcënuar me shkarkim.
“Nuk do të doja ta komentoja fare. Ne kemi bashkëpunim ndërinstitucional, sepse KQZ-ja emërohet nga Presidenti i Kosovës. Jemi takuar gjatë organizimit për pavarësi që ka qenë një vizitë protokollare. Ka qenë pritje protokollare për të gjithë krerët e institucioneve dhe aty nuk ka pasë biseda me askënd”, tha ajo.
Njëlloj nuk ka dashur të komentojë as akuzat e shpeshta për afërsi me PDK-në.
Derisa po flitet se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja shumë shpejt, në rast se nuk ka dakordim për çështjen e presidentit, Valdete Daka ka thënë se institucioni që ajo drejton është gjithmonë gati për të organizuar zgjedhje.
“Së shpejti janë edhe zgjedhjet lokale. Për këto zgjedhjet e tjera normalisht që KQZ-ja është gati, sepse nuk ka tjetër punë përpos që të organizojë zgjedhjet. KQZ-ja ka obligim kushtetues që të organizojë zgjedhjet dhe kurdoherë që kërkohet do të organizojë zgjedhje”, tha Daka në Klan Kosova.
Ajo ka sqaruar se në kuptimin logjistik zgjedhjet lokale janë shumë më të vështira për të organizuar sesa ato qendrore, duke shtuar se në këto të fundit ka më shumë tension.
Kryetarja e institucionit që organizon zgjedhjet ka treguar se çfarë bën ajo dhe stafi tjetër në KQZ kur përmbyllet një proces zgjedhor.
“Në Kosovë zgjedhjet nuk organizohen çdo tri ose katër vjet. Në Kosovë janë organizuar zgjedhje pothuajse çdo vjet. Kemi pasë shumë zgjedhje. Nga viti 2010 nuk e di as vetë sa palë zgjedhje janë organizuar”.
“Valdete Daka është gjyqtare e Gjykatës Supreme dhe në momentin që certifikohen rezultatet i kthehet zyrës në Gjykatën Supreme dhe lëndëve. Megjithatë, edhe pas përfundimit të zgjedhjeve ka punë në KQZ. Sekretariati i vazhdon punët e veta, sepse edhe pas përfundimit të zgjedhjeve ka punë si shkatërrimi i materialit zgjedhor, QNR-ja që duhet të menaxhohet, zyra për regjistrimin e partive politike dhe të tjera. Sekretariati punon në baza ditore, derisa unë si kryesuese jam çdo ditë në KQZ, por jo me orar të plotë. Ne mbajmë mbledhje edhe jashtë procesit zgjedhor, sepse ka çështje për të cilat duhet të merren vendime”, tha ajo.
Daka ka treguar se merr pagë të plotë si gjyqtare e Gjykatës Supreme dhe gjysmën e pagës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve./Gazeta Sinjali/