image Daka: Shkarkimi im ishte vendim i porositur

Politikë

Daka: Shkarkimi im ishte vendim i porositur

news image

Ish-kryetarja e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencë për shtyp ka deklaruar se shkarkimi i saj nga presidentja Vjosa Osmani është jokushtetues, shkruan Gazeta Sinjali.

“Tashmë të gjithë e dini se dje presidentja ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin që ka dhënë gjatë fushatës së fundit elektorale për shkarkimin tim. Ky vendim është jokushtetues dhe i pambështetur në ligj”, ka thënë ajo.

Daka ka thënë se arsyetimi i dhënë për shkarkimin e saj, përveç që është i paligjshëm e qesharak, sipas saj ky është një vendim i porositur.

“Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale, të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm se kam aplikuar Kushtetutën dhe ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur”, tha ajo para gazetarëve.

Ish-kryesuesja e KQZ-së thotë se Osmani e ka ftuar në një takim, gjatë të cilit i ka kërkuar dorëheqjen e vullnetshme, në këmbim të falënderimeve për punën e saj.

“Ky vendim i presidentes, i bërë publik pasditen e së hënës shihet qartë se ishte përgatitur më herët, këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin, brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së.

Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim, në të cilin unë isha e ftuar nga presidentja e Kosovës. Në këtë takim ajo ka kërkuar që unë të japë dorëheqje në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranojë falënderime publike për punën e deritashme si kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi bashkëpunim në të ardhmen.”

“Natyrisht se kjo ishte një gjuhë dhe sjellje e papranueshme për mua nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës, asaj i kam thënë se unë kam përmbushur detyrën time me integritet të lartë profesional dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.”

“Kërcënimet publike të presidentes Osmani kanë nisur që nga janari i vitit 2021, në kohën kur unë si kryetare dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, edhe përkundër presionit të madh, ishim në mbrojtje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për të mos lejuar kandidimin për deputetë të personave të shpallur fajtor brenda 3 viteve të fundit, me vendim përfundimtar të Gjykatës”, tha ajo./Gazeta Sinjali/