image Daçiq: Xhaçka po e inkurajon Kurtin për provokime të mëtejshme

Politikë

Daçiq: Xhaçka po e inkurajon Kurtin për provokime të mëtejshme

news image

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, po e inkurajon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “që të vazhdojë me provokime”.

Xhaçka tha të martën se Shqipëria është me Kosovën dhe i ka bërë autoriteteve të Serbisë të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që po refuzojnë t’i largojnë ato.

“Të luash me zjarrin është ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, tha Xhaçka në një postim në Facebook. 

Daçiq për “Tanjug” tha se Xhaçka “nuk ia ka kujtuar Kurtit se ka obligime ndërkombëtare”.

“Ajo nuk ia ka kujtuar Kurtit se ka obligim ndërkombëtar të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Rezolutën 1244 dhe të gjitha dokumentet relevante, si dhe obligim për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e të mos dërgojë njësite shqiptare të armatosura në veri dhe të mos arrestojë serbë vetëm se janë serbë”, tha Daçiq. “Në vend që ta paralajmërojë që të mos e kërcënojë paqen dhe stabilitetin në rajon, ministrja shqiptare e inkurajon atë për provokime të mëtejshme. Prandaj ajo dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare mbajnë një përgjegjësi të madhe për gjithçka që po ndodh dhe mund të ndodhë në Kosovë”.

Daçiq thotë se “Serbia do të bëjë gjithçka për paqen, me presidentin Aleksandar Vuçiq në krye, por po ashtu do të bëjë çdo gjë për të mbrojtur popullin serb nga terrori”.

/GazetaSinjali/