Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë takimit me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, tha se në Serbi nuk ka njeri që do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Daçiq tha se Serbia është e gatshme për dialog dhe se “vijat e tij të kuqe” janë se nuk ka rinegociata për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, se nuk do ta njohë drejtpërdrejt apo tërthorazi pavarësinë e Kosovës dhe se nuk do të lejojë dëbimin masiv të serbëve, edhe nëse KFOR garanton sigurinë e tyre, raporton Klix.
Ai ka shtuar se në takimin me Chollet ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është garantuesi kryesor i paqes dhe stabilitetit në rajon, Serbi dhe Kosovë.
Sipas tij, Kurti është “djegësi i Ballkanit” dhe pengesa kryesore për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Daçiq tha se SHBA-të, duke gjykuar nga ajo që thonë, duan të formojnë një “Asociacion të Komunave me shumicë Serbe” dhe se është pozitive të dëgjohet kjo nga një zyrtar i lartë amerikan.
“Nëse Perëndimi dëshiron të ndikojë në Prishtinë, ai ka mekanizma. Ata e krijuan Prishtinën”, tha Daçiq dhe theksoi se edhe kur është fjala për propozimin franko-gjerman, nuk ka negociata të reja për atë që janë pajtuar deri tash.