Ish-diktatori Enver Hoxha besohet se ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Sunduesi i Shqipërisë sot ka ditëlindjen.
Një urim jo i zakontë për të erdhi nga ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Deçanit, Orges Tafilaj, aktualisht asambleist në këtë komunë.
Përmes një fotografie të postuar në Facebook, Tafilaj ka uruar ish-diktatorin Enver Hoxha për ditëlindje. Ai i referohet Hoxhës si “komandant”.
“Urime ditëlindja, komandant” shkroi Tafilaj.
Ky veprim nuk kaloi pa çuditur opinionin publik. Kjo për faktin se Enver Hoxha ishte ai që ngriti një nga diktaturat më brutale në Shqipëri.
Fakti më rrëqethës është se gjatë regjimit të tij janë ekzekutuar 6 mijë e 27 njerëz, janë burgosur 17 mijë e 650 dhe janë internuar mbi 20 mijë persona. Gjatë periudhës që ai drejtoi shtetin shqiptar janë vrarë 10 ministra, janë ekzekutuar, burgosur dhe internuar 20 gjeneralë të ushtrisë shqiptare.
Tafilaj është njëri nga ish-anëtarët e respektuar të kryeministrit Kurti.
I pari i shtetit, kishte fjalët më të mira për Tafilajn kur ai iu bashkua Vetëvendosjes në vitin 2019.
Edhe pse ai nuk është më pjesë e partisë në pushtet, Kurti kishte thënë se Orgesi do t’ia lehtësoj punët e mëdha që po e pritnin.
“Orges Tafilaj nga Lebusha e Deçanit na u bashkua në VETËVENDOSJE!. Është lindur në mars të vitit 1989, në të njëjtin muaj kur babai iu arrestua nga Serbia së bashku me rreth 250 intelektualë tjerë. Shkollën fillore e kreu në Isniq, të mesmen në Deçan, studimet për Telekomunikacion në FIEK të UP-së ku diplomoi në vitin 2011. Ka bërë internship në Telekomin e Kosovës, ka punuar disa vjet në sektorin bankar dhe tash në atë të sigurimeve. Nga janari 2010 deri në korrik 2012, ka qenë përfaqësues i Kosovës në peshëngritje dhe njëkohësisht ka ushtruar detyrën e trajnerit dhe përzgjedhësit për gjeneratat e reja. Pesha politike e historike në shpatullat e Lëvizjes nuk është e lehtë. Por, ajo na lehtësohet ca me Orgesin në rradhët tona”, kishte shkruar Kurti në janar të 2019-ës.