image COVID:19: Në Paris mbyllen lokalet për shkak të rasteve të reja

Evropë

COVID:19: Në Paris mbyllen lokalet për shkak të rasteve të reja

news image

Europa ashpërson masat për parandalimin e pandemisë së COVID-19, mes rritjes alarmante të rasteve. Parisi mbyll të gjitha baret nga dita e martë, ndërsa Çekia shpall gjendjen e emergjencës, transmeton Gazeta Sinjali.

Parisi do të mbyllë të gjitha baret nga dita e martë, ndërsa qeveria ngre alarmin maksimal pas rritjes së pandalshme të infektimeve në vend. Kufizimet do të zgjasin dy javë, dhe do të hyjnë në fuqi, ndërsa niveli i infektimeve i tejkaloi 250 për 100 mijë banorë. Të dielën u konfirmuan mbi 12 mijë e 500 raste të reja me koronavirus dhe raportohet se të paktën 30% e shtretërve në terapitë intenzive janë zënë nga pacientët me COVID-19.

Javën e kaluar edhe qyteti i Marsejës mbylli baret dhe restorantet, e po ashtu teatrot, muzetë dhe kinematë u detyruan të mbyllen nëse nuk do të garantonin masa të reja edhe më të rrepta kundër virusit.

Restorantet në qytetet do të duhet të zbatojnë rregulla të reja më strikte anti-virale në mënyrë që të qëndrojnë të hapura dhe sallat e leksioneve në universitete duhet të jenë gjysmë të boshatisura. Por restorantet dhe bistrot që shërbejnë ushqim dhe alkool mund të vijojnë shërbimin për sa kohë regjistrojnë detajet e kontakteve nga klientët dhe mbyllin dyert në orën 22:00. Kryeministri kërkoi që t’i jepej prioritet punës nga shtëpia, më shumë se kurrë më parë.

Situtata nuk është më e mirë në shtetet e tjera europiane. Gjendja e emergjencës u shpall në republikën çeke ndërsa qeveria po lufton për të vënë nën kontroll shpërthimin e ri të rasteve.

Nga e hëna hynë në fuqi masa më të rrepta, përfshirë mbyllja e shkollave jo fillore, apo kufizimi i numrit të klientëve në bare dhe restorante. 

Edhe në Itali, autoritetet paralajmërojnë masa të reja mes rritjes së infektimeve në vend, përfshirë edhe Jugun. Po diskutohet mundësia e mbajtjes së maskave edhe në ambiente të hapura dhe kufizimi i grumbullimeve sociale. /Gazeta Sinjali/